Digjitalizimi i administratës komunale në mars 2010

Prishtinë, 11 dhjetor - Në mars të vitit të ardhshëm, të gjitha komunat e Kosovës do të kenë mundësi të fillojnë procesin e digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.
Kështu tha të premten ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, në tryezën me temë “Administrata publike dhe sfidat e reformimit të saj”, të organizuar nga Instituti për Studime i Shkencave Organizative-Aplikative “Pjetër Budi” në Prishtinë.
Sipas Feratit, në këtë mënyrë qytetarët do të fitojnë shërbime shumë më të mira dhe më të lehta.
Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, tha se në vitin 2015, Kosova do të ketë qeverisje elektronike të kompletuar.
Duke folur për sfidat e reformimit në administratën qendrore, Bajrami tha se ndryshimet në administratë janë nevojë e shtetit të ri dhe qëllimi është që në Kosovë, administrata të jetë e bazuar në tre parime: të jetë e aftë dhe profesionale, e depolitizuar dhe e modernizuar.
Bajrami u shpreh në favor të depolitizimit të administratës publike jo vetëm mbështetur në ligje, por edhe në kulturë politike. “Por, po aplikohen edhe masa ligjore për ta ndarë administratën nga politika”, tha ai.
Duke përmendur se administrata është një kusht fundamental për ndërtimin e një shteti demokratik, Bajrami bëri të ditur se tashmë është duke u bërë “rishikimi funksional”, që është një lloj skenimi i administratës.
Venera Hajrullahu, drejtoreshë ekzekutive e KCSF-së, foli për nevojën e reformës së administratës në Kosovë nga perspektiva e integrimeve evropiane.
Ajo tha se sfida më e madhe është zbatimi i legjislacionit në praktikë. Ndërkaq për sfidat e reformimit të administratës publike në Maqedoni foli Jove Kekenovski, profesor i Institutit “Pjetër Budi”.
Ai përmendi numrin e madh të shërbyesve shtetërorë atje dhe nevojën që ai numër të zvogëlohet, gjë që është rast edhe në Kosovë.
Për ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike foli Hysni Veseli, kryeshef ekzekutiv i Institutit Kosovar për Administratë Publike, ndërsa Chris Jackson, këshilltar në IFES, solli përvojën e tij rreth kornizës ligjore për zgjedhje dhe mundësinë për ndryshime.
Mentor Shala, kryetar i Bordit të AGPK-së, diskutoi në temën e rolit të mediave në reformimin e administratës. Ai përmendi rastet e prezantimit në media edhe të keqpërdorimeve në administratë dhe shfaqi shpresën e politika tashmë është e vetëdishme se pa depolitizim të administratës, nuk mund të ketë efikasitet.
Ndërsa Albulena Sadiku nga OJQ “INPO” u shpreh skeptike sa i përket reformimit të administratës publike, duke vënë në pah mungesën e kapaciteteve njerëzore për një gjë të tillë dhe duke e prezantuar si problem edhe moskontinuitetin në punën e stafit të shërbyesve civilë.


Kolegji “Pjetër Budi” shpall konkurs për vitin akademik 2010/2011
Kolegji “Pjetër Budi” hulumton mundësitë e kosovarëve për pushime
Kolegji “Pjetër Budi” akreditohet për tre vjet
Diplomoi gjenerata e re e studentëve të “Pjetër Budi”
Ceremonia e diplomimit më 25 qershor
Studentët e “Pjetër Budit” vizituan Shqipërinë e Kroacinë
Përfundoi manifestimi Ditët e Hapura të "Pjetër Budit”
U mbajt konferenca “Lehtësitë tregtare gjatë eksportit dhe importit të mallrave”