Doganat në veri - çështje politike dhe e komplikuar

Prishtinë, 30 tetor - Çështja e pikave doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës është çështje politike, mjaft e komplikuar dhe nuk i takon EULEX-it ta zgjidhë.
Kështu ka thënë Harri Saastamoinen, këshilltar ligjor për komponentën e Doganës të EULEX-it, në një bashkëbisedim me studentët e Institutit për Studime të Shkencave Organizative-Aplikative “Pjetër Budi”, në Prishtinë.
Ai nuk ka dhënë përgjigje se kur pritet që këto pika të kthehen nën kompetenca të institucioneve kosovare, por vetëm ka thënë se tash për tash EULEX ka kompetenca ekzekutive në këto dy pika, pasi institucionet kosovare nuk janë atje.
Sipas tij, kur këto pika të jenë në kompetenca të Doganës së Kosovës, atëherë EULEX do të kalojë në rolin e monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ashtu siç ia përcakton edhe mandati.
“EULEX nuk është këtu për ta qeverisur Kosovën, por për të monitoruar, mentoruar dhe këshilluar në fushën e sundimit të ligjit. Përgjegjëse janë institucionet e Kosovës, jo ne”, ka thënë Saastamoinen.
Ai ka përmendur edhe fushat në të cilat EULEX ka kompetenca ekzekutive: krimi i organizuar, krimet e luftës, terrorizmi, korrupsioni dhe krimi financiar, ndërkaq ka shtuar se prioriteti më i madh është luftimi i krimit të organizuar.
“Kompetencat ekzekutive EULEX i shfrytëzon atëherë kur autoritetet lokale nuk janë në gjendje ta bëjnë punën e tyre”, ka thënë Saastamoinen.
Pasi ka përsëritur disa herë se EULEX nuk është i përfshirë në politikë, pasi që është mision teknik, Saastamoinen ka thënë se ky mision nuk është në Kosovë pa ftesë, por është ftuar nga institucionet vendëse, respektivisht nga presidenti.
Ndërkaq, duke folur për çështjen e nënshkrimit të protokolleve EULEX-Serbi, ai ka thënë se keqkuptimi më i madh në mesin e qytetarëve ka qenë se protokollet janë nënshkruar në emër të Kosovës.
“EULEX nuk ka nënshkruar protokolle në emër të Kosovës, por në emër të vetin”, tha Saastamoinen, duke përmendur edhe protokollet e nënshkruara me Maqedoninë, Malin e Zi e Shqipërinë.


Kolegji “Pjetër Budi” shpall konkurs për vitin akademik 2010/2011
Kolegji “Pjetër Budi” hulumton mundësitë e kosovarëve për pushime
Kolegji “Pjetër Budi” akreditohet për tre vjet
Diplomoi gjenerata e re e studentëve të “Pjetër Budi”
Ceremonia e diplomimit më 25 qershor
Studentët e “Pjetër Budit” vizituan Shqipërinë e Kroacinë
Përfundoi manifestimi Ditët e Hapura të "Pjetër Budit”
U mbajt konferenca “Lehtësitë tregtare gjatë eksportit dhe importit të mallrave”